Dedikuar prindërve

DROGA: TË NJOHIM SHENJAT


Simptomat e karakterit
Kur një person fillon të marrë drogë, zakonisht ka një sjellje mospërfillëse ndaj shqetësimeve shkaktuar personave që i rrinë pranë dhe që e duan. Në këtë periudhë personi është i bindur që është vetëm një përvojë dhe që mund ta lërë kur të dojë.
Pak nga pak që vartësia fillon të bëhet pjesë e jetës së tij, fillon të ketë ndryshime humori dhe komunikimi. Nuk i jep më rëndësi imazhit të tij, asaj çfarë i ndodh apo që i kërkohet. Fillon të ketë vështrimin e humbur dhe të ketë qëndrime antagoniste kundrejt personave të dashur për të.
E di që ajo që po bën është e gabuar, por nuk do që të merret vesh. Për të mbajtur sekretin mbyllet gjithnjë e më shumë në vetvete, që të mbrohet e të mos zbulohet. Braktis miqtë e përhershëm dhe provon gjithnjë e më pak interes në gjërat që ka bërë gjithmonë. Gradualisht bëhet gjithnjë e më pak i pranishëm në ambientin familjar duke nxjerrë justifikime të tilla si: “jam i lodhur”, “thoni gjithmonë të njëjtat gjëra që nuk më interesojnë”, “po kaloj një periudhë në të cilën kam nevojë të rri vetëm”, “jam grindur me të dashurën time”…
Bie vëmendja në drejtim të studimeve, frekuenton gjithnjë e më pak leksionet dhe përvetësimi shkollor pakësohet.

Simptomat fizike
Kush përdor hashish apo marijuan i ka sytë e skuqur dhe të ndritshëm, një buzëqeshje trashanike në buzë dhe është mungues në diskutime. I pëlqejnë shumë ëmbëlsirat dhe është mjaft i izoluar sepse është i zhytur në “udhëtimet e tij”.
Kush përdor heroinë, metadon dhe morfin ka bebëzat e syve “jashtëzakonisht të zvogëluara” dhe sytë mjaft të ndritshëm. Një karakteristikë e këtyre drogave është që personi kruhet vazhdimisht në pjesë të ndryshme të trupit. Ka prirje të flejë sa herë që lexon, shikon televizion, apo thjesht edhe kur nuk bën asgjë. Humbet oreksin dhe pi shumë lëngje. Një simptomë tjetër, sidomos në fillim të vartësisë, është të vjellët. Vihet re një dobësim i ndjeshëm për shkak të mungesës së oreksit të shkaktuar nga droga. Kush përdor metadon, në shumicën e rasteve ka prirje të fryhet, është një karakteristikë e vetë drogës kimike. Personi fryhet, nuk shëndoshet.
Kush përdor kokainë apo amfetamina ka ndryshime humori shumë të shpejta. Mund të kalojë nga një gjendje superaktiviteti dhe euforie në një gjendje humbjeje vullneti, në mënyrë kaq të shpejtë saqë e lë të habitur personin pranë tij. Sytë e tij janë shumë të ndritshëm e pothuajse të çakërdisur. Flet vazhdimisht dhe në shumë raste buzët dhe gjuhën i ka shumë të zbehta. E lëviz gojën vazhdimisht si të ishte duke u përtypur edhe pse nuk ka asgjë në gojë. Nuk ha rregullisht por vetëm prek shumë pak ushqime. Nuk fle natën, me përjashtim të rasteve kur mund të bjerë në një gjumë të thellë pas disa netëve të kaluara pa gjumë.
Kush përdor haluçinogenë zakonisht “udhëton” në ambiente ku asnjë nuk mund ti shohë. Kjo ndodh sepse “udhëtimi” e çon jashtë kohës së tashme, në një realitet jo aktual, i përbërë nga ngjyra, tinguj dhe lëvizje të nxitura nga droga e marrë. Një person në këtë gjendje me shumë vështirësi arrin të perceptojë çfarë ndodh përqark tij, prandaj nuk arrin të ketë një bashkëbisedim të kuptueshëm me një person normal. Tenton të mbyllet në vetvete dhe nuk gjen më asgjë interesante në atë çka e rrethon, priret të qendrojë i izoluar apo me persona të tjerë që përdorin të njëjtën lloj droge. Ka një vështrim të humbur në zbrazëti.

Këshilla praktike
Abuzimi me drogën fillon pothuajse gjithmonë në moshën e adoleshencës dhe të rinisë dhe është një fenomen që i intereson adoleshentëve dhe të rinjve në të gjithë botën. Pothuajse gjithmonë kontakti i parë me drogën ndodh në ambientet e shkollës.

Në rastet kur lindin dyshimet e para, këshillohet të mos reagohet dhunshëm, por nëse është e mundur, të kërkojmë një dialog të hapur me personin duke u përpjekur të zbulojmë motivet. Pasi të jeni informuar në mënyrë të përshtatshme, përpiquni ta sqaroni se cilat janë rreziqet reale me të cilat do të përballet, duke theksuar edhe rreziqet penale.
Në rast se nuk ekziston një mardhënie e tillë që të lejojë një dialog të hapur është më mirë të kërkohet ndihma e një miku i cili gëzon besimin e personit dhe të familjes.
Një dyshim, megjithatë duhet të jetë një zile alarmi: mbase personi është duke frekuentuar miqësi të gabuara dhe mbase “ka provuar” një apo dy herë drogën kështu është në një fazë akoma fillestare. Por në rast se mendohet që personi rrezikon të bëhet toksikoman është mirë ti drejtoheni një shërbimi të specializuar i cili ka për detyrë të parandalojë, diagnostikojë, mjekojë dhe reabilitojë toksikomanët dhe kështu do të mund ti këshillojë në mënyrën më të mirë.

Këshillohet të flisni edhe me shkollën. Është e dobishme dhe e detyrueshme që mësuesit ta dinë se në klasat e tyre “qarkullon” drogë dhe është e rëndësishme që ti mbajnë sytë hapur. Të flitet për problemin drogë në klasë është një mënyrë shumë efikase për të luftuar drogën dhe për ta përzënë atë nga ambienti shkollor.

Nga shoqatat e prindërve:
– Të jenë miq të fëmijëve të tyre, duke i trajtuar gjithmonë si të rritur.
– Të evitojnë “jo”-të kategorike, por të ftohet të zbulojë përse është më mirë të jesh i thjeshtë.
– Të jesh i përpiktë në thellimin e simptomave të mundshme të vet drogës dhe të jesh i vetdijshëm që nga kjo vorbull mund të dilet duke kërkuar ndihmë
– Të stimulohet te fëmija sporti dhe hobet që krijojnë nxitje dhe interesa të shëndetshme për tu praktikuar rregullisht.
– Herë pas herë, të merrni pjesë me birin/ bijën adoleshentë në veprimtari konkrete vullnetare.
– Ta mësosh të angazhohet për të tjerët.
– Të njohësh, brenda mundësive, miqtë dhe familjet që frekuentojnë bijtë tuaj adoleshentë.
– Të jeni të gatshëm për ndryshime edhe rrënjësore të jetës personale nëse zbulohet që biri/bija po hyn në vorbullën e drogës.
– Të jesh i vetëdijshëm që në luftën kundër drogës shpesh ndjehesh shumë i vetmuar dhe me një ndjenjë pazotësie për të arritur rezultate që kërkojnë gjithmonë kohë të gjata.
– Të angazhohesh me birin/ bijën tënde për të promovuar së bashku me bashkëmoshatarët e tij nisma parandalimi për drogën.
– Kini parasysh që ju jeni modeli i personit më të rëndësishëm në sytë e bijve tuaj!